Zjarri pranë Parkut të Llogarasë vijon për të pestën ditë, situata mbetet e rrezikshme

Zjarri që ka përfshirë zonën malore pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë vijon të jetë aktiv për të pestën ditë radhazi, ndërsa përhapja e flakëve po vështirëson gjithnjë e më shumë ndërhyrjen e forcave në terren.
Terreni i thyer ka bërë që operacioni për izolimin e flakëve të jetë i vështirë, pavarësisht angazhimit të afro 80 efektivëve të ushtrisë nga Poshnja e Beratit, 20 zjarrfikësve, forcave të emergjencave civile, banorëve të zonës dhe punonjësve të ADZM-së. Ata kanë nisur që në orët e para të mëngjesit përpjekjet për të vendosur situatën nën kontroll.
Zjarri po djeg sipërfaqe të gjera me pisha, bredha dhe bimësi të dendur në malin e fshatit Dukat në Vlorë, duke rrezikuar edhe vetë Parkun e Llogarasë. Dy helikopterë janë përfshirë gjithashtu në operacion, duke kryer hedhje të vazhdueshme uji në zonën e përfshirë nga flakët.
Autoritetet thonë se situata vijon të jetë kritike dhe mbetet shqetësim i madh për përhapjen e mëtejshme të zjarrit, ndërsa bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga komuniteti lokal.