OBSH paralajmëron për rikthimin e epidemisë së virusit ‘chikungunya’: Rrezik për miliarda njerëz

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë një paralajmërim urgjent për të parandaluar përsëritjen e një epidemie globale të virusit ‘chikungunya’, një sëmundje që përhapet përmes pickimeve të mushkonjave dhe që shkakton ethe të larta dhe dhimbje të forta në nyje.
Shkak për alarm janë shpërthimet e fundit të këtij virusi në rajonin e Oqeanit Indian, të cilat tashmë kanë filluar të përhapen në Evropë dhe në kontinente të tjera.
Zyrtarja e OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, deklaroi se rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 shtete të botës jetojnë në zona me rrezik të lartë nga ‘chikungunya’. “Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, kur u prekën afro gjysmë milioni njerëz.
Sipas saj, vala e re e infeksioneve ka nisur në fillim të vitit 2025 dhe ka goditur më së shumti ishujt La Reunion dhe Mauritius. Në La Reunion, virusi ka infektuar tashmë rreth një të tretën e popullsisë.
Përhapja po vazhdon edhe në vende si Madagaskari, Somalia, Kenia, India dhe pjesë të Azisë Juglindore. Një shqetësim i veçantë është shfaqja e rasteve të importuara në Evropë – vetëm në Francë, që nga 1 maji, janë regjistruar rreth 800 raste të tilla.
Pasi nuk ekziston një trajtim specifik për virusin, OBSH thekson rëndësinë e masave parandaluese, si përdorimi i insekticidëve dhe veshja me rroba që mbulojnë trupin, sidomos gjatë ditës, kur mushkonjat janë më aktive.
‘Chikungunya’ mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik, për shkak të aftësisë së tij për të shkaktuar shpërthime të mëdha në kohë të shkurtër.