Kosova

Zjarr i madh në deponinë e makinave në Hajvali, lokalizohet nga zjarrfikësit

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer sot në një deponi makinash në lagjen Hajvali të Prishtinës. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, pas marrjes së informacionit, ekipet emergjente të kryeqytetit, në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe kanë arritur të lokalizojnë flakët.

Autoritetet bëjnë të ditur se reagimi i shpejtë ka parandaluar përhapjen e zjarrit në zonat përreth, duke shmangur rrezikun për banesat dhe objektet afër.

“Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi në deponi ndodheshin dhjetëra automjete dhe pjesë të tyre”, thuhet në njoftim.

Hetimet për shkaqet e zjarrit kanë nisur, ndërsa banorët pranë zonës janë këshilluar të shmangin qëndrimin aty, për shkak të tymërave të dendur dhe mbetjeve të djegura që mund të jenë të rrezikshme për shëndetin.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e raportimit të hershëm të rasteve të tilla për të mundësuar ndërhyrje më të shpejtë dhe më efektive.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button