Gjykata Themelore në Prishtinë: Dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja mbrojnë Dragan Miloviqin në gjykimin për krime lufte

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi gjykimi për krime lufte ndaj Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq. Të mërkurën u dëgjuan dy dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja, Murat Mema dhe Sami Rrustemi, të cilët thanë se Miloviq kishte ndihmuar qytetarët para dhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Dëshmitari Mema deklaroi se kishte njohur Miloviqin që nga fëmijëria, për shkak të një dyqani që ai kishte në Vushtrri. Ai tha se Miloviqi herë pas here i kishte ndihmuar duke e mbrojtur nga kontrollet e policisë dhe duke i dhënë përparësi gjatë pritjeve në radhë. “Bile një herë kanë dashur me ma marrë makinën me zor, ky e ka ndihmuar dhe e ka zgjidhur situatën,” tha Mema.
Dëshmitari tjetër, Sami Rrustemi, tregoi se gjatë kohës sa ishte i burgosur në Smrekonicë, Miloviqi i kishte dërguar barna për shërim pasi ishte rrahur nga një tjetër i arrestuar. Rrustemi konfirmoi se Miloviqi mbante uniformë gjatë kësaj kohe.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, Kostiq dhe Miloviq akuzohen se si pjesëtarë të policisë serbe, në bashkëkryerje me ushtrinë dhe paramilitarë, kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, duke përfshirë plaçkitje, djegie të shtëpive dhe vrasje.
Zoran Kostiq akuzohet konkretisht për përfshirje në sulmin ndaj familjes Ujkani në Reznik dhe për dhunë ndaj civilëve të grumbulluar në Vushtrri më 22 dhe 24 maj 1999. Ndërkohë, Miloviqi akuzohet se ka ndihmuar në detyrimin e civilëve të Vushtrrisë për t’u drejtuar te varrezat e qytetit, ku janë maltretuar dhe rrahur nga forcat serbe, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tij policorë.
Trupi gjykues u informua gjithashtu për ndryshimin e përbërjes së tij, ku gjyqtari Arben Hoti do të zëvendësojë gjyqtarin Valon Kurtaj, i cili u avancua në Gjykatën e Apelit.
Gjykimi vazhdon me dëshmitarë të tjerë dhe prezantimin e provave nga prokuroria dhe mbrojtja.