Zhvendosja e madhe në universitete: Studentët po braktisin arsimimin, artet dhe gazetarinë për profesione më të sigurta

Në Shqipëri po ndodh një ndryshim i thellë në orientimin akademik të të rinjve. Degët tradicionale si arsimi, gazetaria, artet dhe shkencat sociale po humbasin terren me shpejtësi, ndërsa degët e lidhura me mjekësinë, inxhinierinë dhe teknologjinë po përjetojnë një bum të vërtetë. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se nga viti 2019 deri në 2024, këto fusha “klasike” kanë humbur mbi 10 mijë të diplomuar.
Vetëm fusha e arsimit ka rënë nga mbi 9 mijë diplomime në vitin 2019, në vetëm 6,840 këtë vit – një alarm i qetë për mungesën e ardhshme të mësuesve në vend. Edhe më dramatike është situata në art dhe shkencat humane, ku numri i të diplomuarve është përgjysmuar, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e sektorëve kulturorë dhe kreativë.
Në të njëjtën kohë, mjekësia dhe degët e lidhura me shëndetin kanë shtuar mbi 4,200 diplomime në pesë vite, ndërsa inxhinieria dhe ndërtimi vijojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme. Kjo pasqyron një zhvendosje të dukshme drejt profesioneve më të sigurta, më të paguara dhe më të kërkuara në tregun e punës, një reagim i drejtpërdrejtë ndaj sfidave ekonomike dhe emigrimit.
Eksperti i punësimit, Erion Mucca, e përkufizon këtë fenomen si një “zhvendosje të madhe” në arsimin e lartë shqiptar. “Studentët po ndjekin pragmatizmin në vend të pasionit, duke ndjekur profesione që ofrojnë më shumë siguri dhe mundësi për të ardhmen. Por kjo vjen me një çmim,” – paralajmëron ai.
Sipas Muccës, rënia e interesit për mësuesinë, gazetarinë dhe artin mund të ketë pasoja të thella shoqërore: “Një vend pa mësues të mirë, pa gazetarë që kërkojnë të vërtetën dhe pa artistë që frymëzojnë, është një vend që varfërohet në mënyra që nuk maten me shifra.”
Ekspertët kërkojnë që ky ndryshim të mos shihet vetëm si statistikë, por si një temë kyçe që duhet të vendoset në qendër të debatit publik. A është Shqipëria duke ndërtuar një brez të ri të sigurt ekonomikisht, por të varfër shpirtërisht dhe kulturorisht?