Zhupa prezanton programin për bujqësinë: Mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët dhe subvencione për prodhimin vendas

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike, Ina Zhupa, zhvilloi një takim me fermerët në zonën e Metoqit, ku dëgjoi shqetësimet dhe vështirësitë e tyre të përditshme. Ajo theksoi se fermerët po luftojnë për të mbijetuar pa asnjë ndihmë nga shteti dhe me infrastrukturë rurale të pamjaftueshme. Në një status në rrjetet sociale, Zhupa e cilësoi fermerin si “investitorin strategjik” dhe prezantoi pikat kryesore të programit të Partisë Demokratike për bujqësinë, i cili synon mbështetje të drejtpërdrejtë për prodhuesit bujqësorë.
Sipas programit të PD-së, do të ofrohen subvencione për çdo njësi prodhimi dhe fidan të mbjellë. Po ashtu, do të sigurohet mbrojtje sezonale për prodhimet bujqësore, duke u përballur me tregjet dhe kushtet klimaterike. Partia Demokratike angazhohet për daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur, duke e cilësuar këtë nismë si një rrezik për prodhimin vendas.
Një tjetër masë e propozuar është përdorimi i Kartës ID si NIPT-i i fermerit, për të garantuar akses në subvencione. Do të vendoset gjithashtu barazi në TVSH-në e sektorit të përpunimit bujqësor, për të siguruar që përfitimi të shkojë direkt te fermerët dhe jo te ndërmjetësit. Për më tepër, do të ofrohet subvencionim i naftës për përdorim në bujqësi.
Zhupa e përmbylli mesazhin e saj duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për bujqësinë dhe ftoi qytetarët të votojnë për këtë program.