Bota

Zelensky: Dorëzimi i tokës Ukrainës do t’i hapte rrugë agresionit të ardhshëm rus ndaj Evropës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se çdo lëshim territorial ndaj Rusisë do të përdorej nga Vladimir Putin si bazë për sulme të ardhshme ndaj Evropës, nëse kontinenti nuk arrin të mbetet i bashkuar dhe i fortë.

Në një intervistë për revistën franceze Le Point, Zelensky hodhi poshtë idetë për kompromis territorial në këmbim të paqes. “Putini pushtoi Krimenë për ta përdorur atë si bazë për të rrethuar jugun. Në vitin 2014, ai pushtoi lindjen për t’u përgatitur për pushtimin e plotë. Një tërheqje nga Donbasi do ta linte Kharkivin dhe Dnipron të ekspozuar”, tha ai.

Sipas presidentit ukrainas, mbijetesa e Ukrainës përcakton kufirin lindor të Evropës. “Nëse Ukraina nuk reziston, kufiri do të jetë Polonia ose edhe Gjermania”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se teknologjia moderne e raketave e ka bërë distancën të parëndësishme.

Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se Zelensky “mund ta përfundonte luftën pothuajse menjëherë”, duke lënë të kuptohet për lëshime territoriale, përfshirë Krimenë. Por Zelensky i hodhi poshtë kategorikisht këto propozime.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se për një paqe të qëndrueshme “realitetet e reja territoriale” duhet të njihen nga komuniteti ndërkombëtar, duke iu referuar pesë rajoneve ukrainase që Moska pretendon se i ka aneksuar.

Kjo u kundërshtua ashpër nga Kievi. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, e cilësoi qëndrimin rus si “ultimatume të vjetra” dhe kërkoi nga Perëndimi sanksione më të ashpra për të “goditur makinën ruse të luftës”.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, duke folur nga Pekini pas një parade ushtarake me Xi Jinping dhe Kim Jong Un, paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje paqeje, Rusia do t’i çonte deri në fund synimet e saj ushtarake.

Zelensky, i cili ndodhej në Paris për bisedime me aleatët evropianë, tha se nuk sheh gatishmëri nga Moska për t’i dhënë fund luftës, ndërsa liderët evropianë po shqyrtojnë mundësinë e një force paqeruajtëse për të garantuar sigurinë e Ukrainës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button