Zef Mazi rrëzon propagandën e Ramës për integrimin në BE: “Një iluzion politik për konsum të brendshëm”

Ish-kryenegociatori i Shqipërisë për Bashkimin Europian, Zef Mazi, ka hedhur poshtë propagandën e kryeministrit Edi Rama për një integrim të shpejtë të vendit në BE, duke e quajtur atë një iluzion dhe mjet për përfitim politik të brendshëm.
Në një intervistë për BIRN, Mazi tha se përkundër propagandës qeveritare për hapjen e 16 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022, realiteti është shumë më kompleks. “Hapja e kapitujve nuk është e njëjta gjë me mbylljen e tyre. Shqipëria deri më tani nuk ka mbyllur asnjë,” u shpreh ai.
Duke sjellë si shembull Malin e Zi, i cili ndonëse ka hapur 32 kapituj që prej vitit 2012, deri në vitin 2025 ka arritur të mbyllë vetëm pesë, Mazi vë në dyshim optimizmin e qeverisë shqiptare për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027. “Kjo duket më shumë iluzion sesa realiste,” tha ai.
Mazi theksoi se integrimi nuk është çështje partie, por çështje kombëtare. “Në tryezën e BE-së nuk ulet Partia Socialiste apo Partia Demokratike, por Shqipëria,” deklaroi ai, duke shtuar se qasja aktuale është më shumë PR dhe propagandë sesa përqendrim real te reformat.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën sesi Rama personalizon procesin e integrimit. “Ka shumë pompozitet politik kur hapet një grup kapitujsh. Rama nuk ngurron të udhëtojë vetë në Bruksel për ngjarje që janë pjesë e zakonshme e procesit,” përfundoi Mazi.