Lajme

Elbasan – Alizoti dhe Noka takime intensive me qytetarët: Thirrje për mobilizim kundër qeverisë socialiste

Kandidati i Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Tomor Alizoti, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, zhvilluan pasditen e djeshme takime me banorët e rajoneve 2-3 dhe 5-6 të qytetit.

Në takime, përfaqësuesit e PD-së shpalosën sërish programin e tyre politik, duke bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve në “përpjekjen e fundit” për të rrëzuar qeverinë socialiste, e cila – sipas tyre – ka dështuar në përmbushjen e pritshmërive të vendit.

Ata nënvizuan se qytetarët nuk duhet të tremben nga presionet dhe kërcënimet e një partie që – siç deklaruan – “mbështetet nga bandat”. Gjatë vizitave në lagje, Alizoti dhe Noka evidentuan situatën e rënduar ekonomike dhe sociale, si dhe dëshirën në rritje të qytetarëve për ndryshim dhe për ardhjen në pushtet të Sali Berishës.

Kandidatët demokratë u pritën me entuziazëm nga qytetarët, të cilët shprehën mbështetje për kandidatët si nga listat e hapura, ashtu edhe ato të mbyllura. PD njoftoi gjithashtu se të mërkurën do të zhvillohet një takim përmbyllës i fushatës elektorale, ku do të marrë pjesë edhe lideri historik i PD-së, z. Sali Berisha. Në këtë aktivitet janë të ftuar të gjithë qytetarët dhe mbështetësit e opozitës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button