Zbulohet plantacion i madh marijuane në Francë, arrestohet një shqiptar

Një operacion i suksesshëm i policisë franceze ka zbuluar një plantacion të madh marijuane në një fshat të qetë me vetëm 250 banorë, në zonën midis Mende dhe Saint-Chély-d’Apcher, në Lozère. Autoritetet sekuestruan 132 bimë marijuane dhe pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre, të instaluara brenda një ndërtese shumëkatëshe.
Çdo kat i banesës ishte përshtatur për faza të ndryshme të kultivimit të drogës, duke e shndërruar ndërtesën në një laborator të paligjshëm modern. Gjatë operacionit u arrestua një shtetas shqiptar 32-vjeçar, i cili u kap në katin e tretë të godinës duke u kujdesur për bimët.
I arrestuari doli para gjykatës më 9 prill, ku pranoi fajësinë dhe u dënua me tre vjet burg. Gjykata urdhëroi gjithashtu deportimin e tij pas përfundimit të dënimit dhe ndalimin e përhershëm të rikthimit në Francë.
Autoritetet franceze e cilësuan këtë operacion si një goditje të fortë ndaj kultivimit të paligjshëm të drogës në zonat rurale, ku shpesh aktivitetet kriminale përpiqen të kalojnë pa u vënë re.