Zbulohen mbetje eshtërore në Hajvali, dyshohet se i përkasin tre personave të zhdukur gjatë luftës

Njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë zhvilluar gërmime në varrezat e fshatit Hajvali, në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, gërmimet janë kryer në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kanë rezultuar me zbulimin e mbetjeve eshtërore që dyshohet se u përkasin të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998–1999).
“Më 20 tetor 2025, njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për gërmime në varrezat e fshatit Hajvali, ku janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore dhe identifikim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet bëjnë të ditur se punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa hetimet për rastin janë në proces.



