Kosova

Ka nisur gjykimi për rastin “Banjska”: Tre të akuzuar përballen me akuza të rënda për terrorizëm

Ka filluar seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët po përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit.

Ngjarja e asaj nate la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të forcave policore pas një sulmi të armatosur ndaj tyre.

Në procesin gjyqësor deri më tani kanë dhënë dëshmi disa zyrtarë policorë që morën pjesë në kundërsulmin ndaj grupit të armatosur, ndërsa janë dëgjuar edhe dëshmitarë të mbrojtur.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur në Banjskë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë pasur role të ndryshme në kuadër të grupit kriminal, që nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.

“Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar prokurori i rastit në konferencën për media më 11 shtator të vitit 2024.

/EO/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button