Lulzim Bajrami, zyrtar i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, lirohet pas 48 orësh ndalim

Zyrtari i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Lulzim Bajrami, është liruar sot nga masa e ndalimit, pas 48 orësh qëndrimi në mbajtje, lidhur me dyshimet për keqpërdorim me procedurat e tenderëve me vlerë mbi 8.8 milionë euro.
Policia e Kosovës kishte ndërmarrë masa të martën ndaj disa personave të dyshuar, duke përfshirë edhe Bajramin, për kurdisje të tenderëve në bashkëpunim me operatorë ekonomikë. Dy persona të tjerë janë liruar më herët në procedurë të rregullt.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga Njësia e Krimeve Ekonomike, Bajrami dyshohet se ka ndihmuar disa kompani që të shpallen fituese në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret ligjore në mënyrë të kundërligjshme. Hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka konfirmuar se janë sekuestruar pajisje komunikuese dhe prova të tjera relevante.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka deklaruar për Gazetën Express se është kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimi i masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në përputhje me nenin 175 të Kodit të Procedurës Penale.
Lirimin e Bajramit e ka konfirmuar për Express avokati i tij, Ahmet Tahiri, i cili tha shkurt se klienti i tij është liruar, ndërsa pret arsyetimin me shkrim nga gjykata.
Një detaj i pazakontë u raportua nga gazetari i T7, Çlirimtar Morina, i cili tha se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, i dyshuari kishte mbetur i bllokuar në ashensor. Për pasojë, seanca e planifikuar në sallën e gjyqit u mbajt në zyrën e gjyqtarit, në rrethana jo të zakonshme.
Hetimet ndaj zyrtarit dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.



