Lajme

Zbardhet vjedhja me dhunë në Lezhë, arrestohen tre të rinj – tentuan të largoheshin nga vendi

Policia ka finalizuar me sukses operacionin për zbardhjen e një vjedhjeje me dhunë të ndodhur më 28 prill, në fshatin Gajush, ku u grabit banesa e një 66-vjeçari. Si rezultat i hetimeve intensive, janë arrestuar tre autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në pranga kanë rënë shtetasit K. N., 22 vjeç, banues në Mirditë, A. S., 21 vjeç, nga Korça, dhe L. Ll., 22 vjeç, nga Tirana. Ky i fundit u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në pikën e kalimit në Muriqan, ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria.

Të rinjtë dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 28 prillit kanë hyrë me forcë në banesën e të moshuarit, nga ku kanë marrë 1.500 dollarë, 880 euro, 50.000 lekë dhe një armë gjahu.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 5 aparate celularë dhe dy automjete të përdorura nga autorët gjatë kryerjes së grabitjes.

Në vijim të hetimeve, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Gj. N., 50 vjeç, babai i njërit prej të arrestuarve, i cili dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e vjedhjes, duke u ngarkuar me akuzën “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme hetimore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button