KryesoreKultur

“Zan’Art”: Trashëgimia artizanale shqiptare në ritmin e kohës

Zan’Art-Artizanati shqiptar nga tradita në modernitet” është panairi me prodhime autentike i çelur këtë të mërkurë në Tiranë e që bëri bashkë 35 ekspozitorë të artizanatit. Meliha Zyberaj është pjesë e grupit prej 17 grash artizane të Vaut të Dejës. Punimet e saj i ekspozoi bashkë në panairin ZAN’ART-“Artizanati Shqiptar nga Tradita në modernitet” i çelur këtë të mërkurë në Tiranë, me punët autentike të 35 artizanëve.

“Bëjmë mbulesa tavoline, qilima, çentro. Edhe me porosi për lokale. Zona e Zadrims shquhet për punimet e tezgjahit. Ka tre vite që jemi duke kultivuar edhe fshikëzën e mëndafshit për prodhimin e shajeve, pëlhurave të mëndafshit. Kemi mbjellë rreth 200 rrënjë. Nëpër shkolla jap trajnime të ndryshme: mënyra si punohet nga fillimi, endja deri te përfundimi i pëlhurës”,- thotë Zyberaj.

Melihaja vëren se brezi i ri ka goxha interes për të mësuar si të bëjë këto produkte. “Zona jonë i ka akoma traditat e pajave: mbulesë, çarçaf, qilim, rrugica.. Plus janë dhe turistët”,-thotë ajo.

Edhe Dafina, pjesë e grupit të grave artizane të Tropojës, thotë se këtë traditë e kanë trashëguar ndër vite.

“Vij nga Tropoja me produkte artizanale të zonës sonë. Sot kam ekspozuar punimet me rruaza, veshjen tradicionale të Tropojës, punimet me qëndisje dhe sapunët tradicionale të zonës, që i kemi prodhuar në Tropojë me bimët tona medicinale: sherebelën, trumzën, lavandër etj”,- thotë Dafina Gjeloshaj.

Shijen e tradicionales mund ta ndjeni edhe në shije, si në këtë rast, ku pijet kthehen në koktejle.

“Kemi dy koktejle: I pari është çaji i gjyshes, me erëza dhe prodhime shqiptare, që I përdorim për të sjellë një çaj që na e kanë dhënë dikur të parët tanë.

Kemi një koktejl të përbërë me raki të infuzuar me erëza, çaj mali, çaj sherebele, po ashtu dhe dru are. Pjesë e koktejlit është edhe mjedra që e fermentojnë bashkë me sherebelëbn për shije unike dhe për të prezantuar traditën tonë vendase”,-thotë Daniel Laçi, artizan.

“Aktivitete të tilla, sot më shumë se kurrë janë të mirëpritura. Interesohem shumë për publikun vebndas, brezin e ri, që duhet ta njohin shumë traditën, që duhet kombinuar bashkë me botimet shkencore dhe demonstrimin e punëve që bëhen. Kjo është e lidhur ngushtë me zhvillimin e turizmit kulturor, se turistët nuk vijnë vetëm për rërën dhe detin dhe së pari duhet të njohin trashëgiminë kulturore”,- thotë Adërdita Onuzi, etnografe.

Qeleshja shqiptare; Çiftelia në miniaturë; Kostumet kombëtare; Suvenire dhe veshje me motive shqiptare; qëndisjet tradicionale; punimet në dru dhe qelq; poçeria e filigrani; maska veneciane e shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare ishin pjesë e këtij panairi, ndërkohë që u zhvilluan 11 ëorkshope nga mjeshtrit e artizanatit, ku u prezantuan teknikat tradicionale të punimeve artizanale për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button