Xherdan Shaqiri rrëfen për eksperiencën e tij te Interi: “Duhej të më jepnin më shumë hapësirë”

Xherdan Shaqiri ka folur për eksperiencën e tij te Interi në një intervistë për mediumin italian La Gazzetta dello Sport. Futbollisti i cili aktualisht luan për Basel, klubin e tij të fëmijërisë, ka treguar se koha e tij te “Nerazzurri” ishte e shkurtër dhe jo e suksesshme, por mbart kujtime të mira.
Shaqiri ka zbuluar edhe bisedën e shkurtër që pati me trajnerin e atëhershëm, Roberto Mancini: “Më thirri dhe më bind për 5 minuta. Më tha se do të isha në qendër të projektit të tij, por natyrisht nuk luajta shumë. Problemet fizike luajtën rol, por mendoj se duhet të më jepej më shumë hapësirë”.
Majtaku i shpejtë nga Zhegra e Gjilanit ka shtuar se Interi në atë kohë ishte një nga skuadrat më të dobëta kualitativisht në 15 vitet e fundit: “Ishim një skuadër e ndërtuar keq, pa ekuilibër dhe pa yje. Më ishte premtuar se do të luaja shumë, por konteksti ishte ndryshe. Nuk kishim kampionë dhe nuk ishim ndërtuar për të fituar”.
Pavarësisht sfidave, Shaqiri kujton marrëdhëniet e mira me disa bashkëlojtarë: “Kaloja shumë kohë me Kuzmanovic, të cilin e njihja nga Basel, dhe më pas me Nagatomo, Juan Jesus, Dodo… Klima nuk ishte gjithmonë e këndshme, por ne po zbaviteshim”.
Ai gjithashtu ka folur për një eksperiencë të pazakontë mjekësore: “Interi më dërgoi tek një magjistar që pretendonte të bënte mrekulli, i cili kishte shëruar edhe Ronaldo Fenomenin. Por eksperienca ishte dizastër, s’kishte efekt”.
Shaqiri përfundon me respekt për Mancinin: “Kam vlerësim të madh për të si trajner. Do t’i thoja se duhej të më jepte më shumë minuta dhe hapësirë, por gjithmonë ka dhënë fjalë të mira për mua”.