Wolves dhe Nottingham Forest në garë për Yunus Musah, Milani e nxjerr në shitje

Mesfushori amerikan i Milanit, Yunus Musah, mund të përfundojë karrierën e tij në Serie A vetëm pas një sezoni, pasi interesimi nga klubet e Premier League është rritur ndjeshëm. Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, Wolves është klubi më i fundit që i është bashkuar garës për 22-vjeçarin, duke ndjekur nga afër situatën e tij së bashku me Nottingham Forest.
Musah u transferua te Milani nga Valencia në verën e vitit 2023 për rreth 20 milionë euro, por ndonëse ka grumbulluar 59 paraqitje në Serie A, ai ende nuk ka arritur të shënojë gol për kuqezinjtë. Pavarësisht aktivizimit të rregullt, lojtari duket se nuk është më pjesë e planeve afatgjata të klubit.
“E konsideroj Musah një lojtar shumë të mirë, por ne po kërkojmë mesfushorë me tiparet e duhura për projektin e Allegrit. Ai është më i përshtatshëm në një dyshe qendrore ose si mezzala, ndërsa ne duam lojtarë për një mesfushë me tre,” tha drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, duke sugjeruar se profili i Musah nuk i përshtatet më sistemit të ri të ekipit.
Në një repart tashmë të mbipopulluar dhe që pritet të përforcohet edhe më tej, largimi i Musah këtë verë duket gjithnjë e më i mundshëm. Premier League paraqitet si destinacioni më i afërt për mesfushorin e përfaqësueses amerikane, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Wolves apo Forest do të konkretizojnë ofertat për të në javët në vijim.