Largohet nga manifestimi i Vidovdanit politikani serb, Policia i kërkon të lirojë hapësirën – reagon Arsenijeviq nga arratia

Politikani nga partia “Demokracia Serbe”, Stefan Velkoviq, është larguar sot nga hapësirat ku po mbahej manifestimi për Ditën e Vidovdanit në Gazimestan, pas një kërkese të Policisë së Kosovës për të liruar zonën.
Velkoviq kishte veshur një bluzë me portretin e liderit të partisë së tij, Aleksandar Arsenijeviq – i cili aktualisht ndodhet në arrati – dhe shoqërohej nga një grup simpatizantësh që mbanin në duar flamurin e Federatës Ruse.
Pamjet e momentit kur Policia e Kosovës i kërkon Velkoviqit të largohet nga vendi i manifestimit janë shpërndarë në rrjetet sociale nga vetë Arsenijeviq. Ai, përmes një postimi, pretendon se Velkoviq është arrestuar për shkak të bluzës që mbante veshur.
“Stefan Veljkoviq sapo u arrestua në Gazimestan sepse mbante veshur një bluzë me foton time”, shkroi Arsenijeviq.
Ndërkohë, autoritetet kosovare e kanë përfshirë Arsenijeviqin në listën e personave në kërkim. Ai dyshohet se në pronën e tij në fshatin Vallaq të Zveçanit ka qenë i fshehur një arsenal armësh që u kap nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni disa ditë më parë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar më herët se Arsenijeviq do të intervistohet sapo të lokalizohet.
“Person me interes për intervistim është ai [Arsenijeviqi]. Në momentin e parë që hasim në të, do të intervistohet dhe më pas prokurori vendos në lidhje me të”, tha Elshani.
Manifestimi i Vidovdanit në Gazimestan zhvillohet çdo vit më 28 qershor dhe shpeshherë shoqërohet me tensione të natyrës politike dhe etnike.