Vuçiq justifikon blerjet e reja të armëve: “Faktor pengues ndaj çdo agresori nga fqinjësia”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka justifikuar planet për blerje të reja armësh duke thënë se ato shërbejnë si “faktor pengues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.
Gjatë qëndrimit në Pekin, ku mori pjesë në një paradë ushtarake dhe u takua me presidentin e Kinës, Xi Jinping, Vuçiq tha se ka shfrytëzuar rastin për të parë pajisjet që mund t’i shërbejnë ushtrisë serbe. Serbia prej vitesh bashkëpunon ngushtë me Kinën në sektorin e mbrojtjes, ndërsa blerjet nga ky vend kanë shkaktuar kritika nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia është vendi me shpenzimet më të larta ushtarake në Ballkanin Perëndimor gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2024, Beogradi ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë, që përbën 2.6% të BPV-së së vendit – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, vend anëtar i NATO-s.
Vuçiq, i cili shpesh deklaron se Serbia është “faktor paqeje e stabiliteti” në rajon, paralelisht i paraqet vendet fqinje si burim kërcënimi. Ai iu referua edhe deklaratës së përbashkët të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim ushtarak, të cilën e cilësoi si aleancë “kundër Serbisë”.
Krahas Kroacisë – me të cilën tensionet mbeten të larta – Vuçiq solli në vëmendje edhe blerjet e avionëve luftarakë Rafale nga dy vendet. “Kur ata blenë 12 Rafale, ishte lajm i mirë për rajonin. Kur i blen Serbia, është tragjedi”, tha ai në gusht 2024. Sipas të dhënave të SIPRI-t, Serbia vitin e kaluar shpenzoi rreth 700 milionë dollarë më shumë se Kroacia për ushtrinë.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia ndaloi blerjet e reja nga Rusia, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Pajisjet e fundit nga Rusia ishin sisteme anti-dron, të porositura më herët. Në rrethanat e reja, Beogradi u orientua drejt Kinës, duke blerë dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3.
Në prill të këtij viti, Serbia nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Hungarinë – anëtare e NATO-s dhe BE-së – që Vuçiq e cilësoi si hap drejt krijimit të një aleance të re ushtarake.