
Kandidati i koalicionit PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Lezhë, Viktor Tusha, deklaroi në “Çim Peka LIVE” se zgjedhjet e 11 majit do të jenë një moment vendimtar për opozitën. Ai u shpreh i bindur se kompaktësia e sotme, krahasuar me vitin 2022, është shumë më e fortë dhe qytetarët janë më të zhgënjyer se kurrë me qeverisjen aktuale.
Sipas tij, rezultati i vitit 2021, ku u morën 5 nga 7 mandate në Lezhë, është një bazë solide për fitore.
Tusha theksoi se potenciali i figurave dhe programi i qartë janë elementët kryesorë që do të bindin elektoratin. Ai foli me shqetësim për situatën e diasporës, duke e cilësuar tragjike braktisjen e zonave si Lezha, Mirdita e Kurbini për emigrim në Greqi apo Itali. Sipas tij, mbi 70–80% e votuesve të regjistruar jashtë vendit janë në mbështetje të opozitës dhe projektit për Shqipërinë Madhështore.
Tusha ndaloi me forcë te arrestimi i Ilir Metës, duke e cilësuar një akt të qëllimshëm për të dëmtuar opozitën në fushatë. Ai shtoi se mënyra brutale e ndalimit ka krijuar revoltë edhe në radhët e socialistëve dhe se kjo çështje është kthyer në një bumerang për mazhorancën.
Tusha u shpreh i sigurt se Meta do të ketë mbështetje të jashtëzakonshme në listat e hapura në Tiranë.
Tusha: Çfarë i duhet një populli, çfarë i duhet një elektorati më shumë sesa potenciali i disa figurave dhe një program?
Këto janë komponentët më të mirë për të bindur një elektorat, për të bindur qytetarët se do të ketë një të ardhme tjetër vendi?
Lezha ka 7 mandate, patjetër që në vitin 2021, në bazë të numrit të votave ne jemi 5 me 2.
Tani ne po punojmë shumë, dhe në 2022 nuk kishte këtë kompaktësi që ka, shqiptarët nuk e kishin këtë mllef për mënyrën e qeverisjes, sot vijmë edhe 4 vjet më vonë, pra jemi 12 vjet nga një qeverisje e keqe, nga një mënyrë si po bëhet fushata, dhe unë kam bindjen që ato shifrat e vitit 2021 do të jenë shumë solide në zgjedhjet e 11 majit.
Unë e shikoj rezultatin dhe të gjithë kandidatët po punojnë fuqishëm për të realizuar këtë.
Sa i përket diasporës, të lësh Lezhën me gjithë atë bukuri natyrore, të lësh Mirditën me gjithë atë klimë natyrore dhe bukuri dhe të lësh Kurbinin e të ikësh dhe të ikësh në Greqi të mbledhësh ullinj apo të ikësh në Itali të punosh në ndërtim është e tmerrshme, dhe ti të pretendosh se do ta marrësh votën.
Patjetër janë rreth 15 mijë votues, 14,700 votues që janë të regjistruar, por janë me qindra e mijëra që duan të vijnë të shprehin vullnetin e tyre më 11 maj.
Ata që janë regjistruar, unë jam i bindur që mbi 70–80% janë për opozitën dhe janë për Shqipërinë Madhështore.
Burgosja e Metës patjetër që na dëmton, nuk na dëmton vetëm ne si kandidatë në listat e hapura të koalicionit, unë jam i bindur që ka dëmtuar mungesa e tij në këtë fushatë elektorale Shqipërinë, por jam i sigurt që çdo gjë po kthehet në bumerang, jam i sigurt që Ilir Meta do të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme në listat e hapura të qarkut të Tiranës, edhe për shkakun se shumë njerëz, edhe socialistë të thekur, më kanë shprehur një dëshpërim të madh në mënyrën e arrestimit të Ilir Metës sepse çdo njeri nëse mund të kishte gabuar, apo mund të arratisej, do të ikte, Ilir Meta po vinte nga Kosova për të mbajtur një konferencë shtypi në zyrën e tij.
Arrestimi brutal në atë mënyrë, të jeni të sigurt që është kthyer në bumerang.
Arrestimi i tij është bërë enkas për të dëmtuar fushatën elektorale të opozitës në Shqipëri, për të vrarë opozitarizmin në Shqipëri.