Lajme

‘Veliaj i rrezikshëm, ka pushtetin të zhdukë provat dhe para të arratiset!’ Detaje të reja nga vendimi i Apelit të GJKKO-së

Vendimi i arsyetuar i gjyqatarit të Apelit të GJKKO-së Engert Pellumbi që la në fuqi masën e ‘arrestit me burg’ për kryebashkiakun e Tiranës mbështetet edhe në përgjimet e fundit të Erjon Veliajt brenda IEVP Durrës ku provohet se Veliaj sillet si të ishte një shtet mbi shtetin dhe përdor median për të intimiduar prokurorët e gjyqtarët.

Në vendim argumentet kryesore pse duhet të qëndrojë në fuqi masa e sigurisë e vendosur më 10 shkurt nga GJKKO.

Së pari, Veliaj ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit, zhdukur dhe deformuar provat.

“Rreziku i helmimit të provave në rastin konkret përforcohet edhe fakti se personi nën hetim Erion Veliaj është ende në detyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme që mund të shërbejnë si burime prove si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve, sikurse edhe rezultoi nga parashtrimi i mësipërm”

“Gjykata çmon se një rrezik i tillë për dëmtimin e provave nuk është një gjendje e cila mund të neutralizohet nëpërmjet izolimit të përkohshëm të personit nën hetim, për sa kohë ende nuk është i qartë plotësisht rrethi i provave që do të shërbejnë për hedhur dritë mbi faktin penal si dhe rreziku i helmimit të provave të gjalla do të jetë gjithnjë i pranishëm referuar sjelljes së treguar nga personi nën hetim”

Së dyti: Frika se mund të arratiset  ishte rrezik eminent dhe në nivele të larta e nuk relativizohet as nga fakti se ai është baba i një fëmije të mitur.

“Vetëm rreziku i helmimit të provave do të mjaftonte që gjykata të caktonte masën e sigurimit “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Erion Veliaj. Megjithatë, gjykata vëren se në këtë rast ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet.

“Lidhur me rrezikun e ikjes, sikurse me të drejtë ka arsyetuar gjykata e shkallës së parë, mundësitë financiare të personit nën hetim Erion Veliaj, të vlerësuara në harmoni me lëvizjet e tij të shumta jashtë vendit, referuar të dhënave të sistemit TIMS si dhe të përforcuara nga sanksioni tepër i lartë i veprave penale që dyshohet të ketë kryer ky shtetas dhe që rrezikon të vuajë, e çon gjykatën në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta. Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti se personi nën hetim është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur” thuhet në vendim.

Jo vetëm kaq, gjykata thotë se Veliaj nëse do të lirohej do të vijonte të kryente veprime për të fshehur pasurinë që dyshohet se është e ardhur nga korrupsioni.

“Gjykata vlerëson se për personin nën hetim Erion Veliaj ekziston edhe rreziku i recidivizmit në kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në arritjen e këtij përfundimi gjykata mban në konsideratë faktin se, referuar rrethanave të çështjes, ekzistojnë të dhëna që çojnë në konkluzionin se veprimtaria e pastrimit të produkteve të veprës penale të korrupsionit në rastin konkret është kryer për një kohë të gjatë dhe në shuma të konsiderueshme, sikurse u arsyetua më lart. Për këtë shkak, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim (nëntë herë), e parashikuar nga nenet 260-25 të Kodit Penal, është evidente që personi nën hetim do të përpiqet të fshehë origjinën e vërtetë të shumave të parave ose sendeve të luajtshme apo të paluajtshme…” thuhet në vendim.

Argumentohet pse nuk pranoi ‘garancinë pasurore’ të ofruar nga Veliaj

“Një masë e tillë jo vetëm që, sikurse u theksua, nuk kënaq shkallën e nevojave të sigurimit, por në të njëjtën kohë nuk përputhet me natyrën e veprave që dyshohet të ketë kryer ky person nën hetim, të cilat lidhen pikërisht me përfitimin e parregullt gjatë ushtrimit të detyrës të shumave monetare e pasurive të tjera si dhe me fshehjen e burimit të këtyre përfitimeve. Pra, vendosja e një shume parash si garanci për lirinë e një zyrtari të lartë konsiderohet krejtësisht në kundërshtim me natyrën e veprave penale që synojnë pikërisht mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të vendosura për të parandaluar marrjen prej zyrtarëve në fjalë të përfitimeve të parregullta dhe fshehjen më pas të origjinës së këtyre përfitimeve” argumenton në vendim gjyqtari Pëllumbi.

Edhe sa i përket vilës në Qerret për të cilën gjithmonë e mohoi pronësinë, Veliaj ka dalë zbuluar në përgjimet e bëra në qelinë e Durrësit.

“Në datën 7 mars, në orën 23:22, Erion Veliaj bisedon me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Gjatë bisedës kryebashkiaku i thotë Ajolës se te shtëpia në Qerret nuk e ndalon njeri të shkojë. Më konkretisht kryebashkiaku i arrestuar shprehet: “Po pse ça do të të ndalojë njeri të shkosh te shpia në Qerret, do të të ndalojë ajo Risena aman”.

 

Image

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button