Vedat Muriqi zgjat kontratën me Mallorcan deri në vitin 2029: “Ëndrra ime më e bukur!”

Vedat Muriqi do të vazhdojë të shkruajë historinë e tij me Mallorcan, duke i dhënë fund një herë e mirë spekulimeve për një rikthim të mundshëm në futbollin turk. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka zgjatur kontratën me klubin spanjoll edhe për dy vite të tjera, duke u lidhur me të deri në vitin 2029.
31-vjeçari nga Prizreni iu bashkua Mallorcas në janar të vitit 2022, pas një periudhe të vështirë në Itali me Lazion. Që nga transferimi i tij në ishullin spanjoll, Muriqi është shndërruar në një figurë kyçe për klubin, duke kontribuar me gola dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Në 118 ndeshje me fanellën e kuqe të Mallorcas, “Pirati” ka realizuar 35 gola dhe ka dhënë 11 asistime, duke ndihmuar skuadrën të qëndrojë në elitën e futbollit spanjoll dhe duke fituar dashurinë e tifozëve.
“Mbi të gjitha, ndiej krenari dhe kënaqësi. Është një nder të vazhdoj ta shijoj këtë ëndërr me këta njerëz këtu dhe të vazhdoj të rritem me ta. Për mua kjo nënkupton shumë. Pa dyshim, të vija këtu ishte vendimi më i mirë që e kam marrë në jetën time. Mallorca, për mua, është ëndrra më e bukur që e kam shijuar në jetën time. Dhe këtë nuk do ta ndryshoj kurrë,” deklaroi Muriqi me emocion.
Me këtë vendim, Muriqi konfirmon edhe një herë lidhjen e fortë me Mallorcan dhe dëshirën për të qenë pjesë e projektit afatgjatë të klubit. Historia e “Piratit” kosovar në La Liga vazhdon.