Kosova
Vazhdon gjykimi në rastin e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka filluar vazhdimi i gjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës.
Në sallën e gjyqit është paraqitur edhe Naim Murseli, i akuzuar se organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij në sy të fëmijëve. Ai dyshohet se i kishte ofruar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer vrasjen.
Gjatë kësaj seance pritet të dëgjohen dëshmitë e ekspertëve të psikiatrisë. Ndërkohë, në seancën e fundit të mbajtur më 14 korrik të këtij viti, dëshmoi vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj, i cili kërkoi dënim maksimal për dorasin.
Përveç Murselit dhe Plavës, në këtë rast të rëndë të krimit familjar është i përfshirë edhe i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla.



