Sot përkujtohen 27 vjet nga rënia heroike e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Sot shënohet 27-vjetori i rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, njëra ndër luftëtaret e para të UÇK-së.
Çifti Lladrovci ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë. Ata ranë më 22 shtator 1998, pas një beteje të ashpër e të pabarabartë me forcat serbe në Çiçavicë, ku qëndruan heroikisht së bashku me luftëtarët e tjerë të UÇK-së.
Në këtë betejë ra edhe studentja Fatime Hetemi, si dhe shumë dëshmorë të tjerë që u flijuan për lirinë e vendit.
Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilës e mban kjo njësi edhe sot. Në nder të tyre, në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si simbol i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.



