Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë – prezantohen dëshmi për pasojat psikologjike të luftës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë seancës së djeshme, në cilësinë e eksperteve, dëshmuan dy dëshmitare nga ekipi i mbrojtjes së viktimave. Ato prezantuan fragmente nga raporti i tyre i përpiluar për këtë çështje gjyqësore, duke theksuar ndikimet e thella psikologjike që ka lënë lufta tek popullata civile.
Sipas raportit, rreth 65% e popullsisë në Kosovë ka përjetuar ngjarje traumatike gjatë luftës, çka ka rezultuar në një numër të madh personash të traumatizuar – përllogaritur të jenë mes 200 mijë deri në 400 mijë individë.
Në dokument thuhej më tej se refugjatët nga ish-Jugosllavia kanë shfaqur nivelet më të larta të problemeve të shëndetit mendor në krahasim me refugjatët nga zonat e tjera të luftës. Ky vlerësim është bazuar në hulumtime të kryera lidhur me pasojat e konfliktit dhe përvojat e popullatës civile.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive të tjera në ditët në vijim.