Vazhdimi i 52-të i seancës konstituive, dita vendimtare për Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për herë të 52-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, në ditën e parafundit të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pas përfundimit të këtij afati më 26 korrik, çdo veprim për konstituimin e Kuvendit do të konsiderohet i pavlefshëm, pasi Gjykata ka vendosur masë të përkohshme ex officio, që ndalon çfarëdo vendimi nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo veprimi pas kësaj date mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Vendimi u mor për shkak të dy lëndëve në shqyrtim për këtë çështje – njëra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tjetra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Çfarë po e mban peng konstituimin?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por emri i propozuar – Albulena Haxhiu – po kundërshtohet nga partitë opozitare. PDK dhe AAK e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërsa LDK ka refuzuar votën për çdo kandidat të LVV-së.
Mosmarrëveshjet janë thelluar edhe për mënyrën e votimit – të hapur apo të fshehtë – me opozitën që e konsideron votimin e fshehtë si jokushtetues, në përputhje me një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses, që LVV-ja e kundërshton.
Ndërkombëtarët, në sallën e Kuvendit
Për rëndësinë e momentit, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfshirë ambasadorin gjerman Jorn Rohde, do të marrin pjesë fizikisht në seancën e sotme, në përpjekje për të nxitur konsensus mes partive politike.
Presidentja dhe kërkesa për qartësi ligjore
Më 22 korrik, presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Kushtetueses me dy kërkesa: të qartësojë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe të vendosë masë të përkohshme për të shmangur një bllokadë të pafund institucionale.
PDK-ja dhe AAK e kritikuan këtë lëvizje, duke e interpretuar si një përpjekje për t’i dhënë më shumë kohë LVV-së, ndërsa Fatmir Limaj e vlerësoi si një hap për zgjidhje.
Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e cilësoi kërkesën e Osmanit si të pabazuar dhe të papranueshme, duke theksuar se lëvizja e radhës do të ndodhë vetëm nëse Kushtetuesja jep një qartësi të re ligjore për situatën.
Çka mbetet për t’u bërë?
Përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarë për të përmbyllur formalisht konstituimin e legjislaturës së re. Procesi ka mbetur i papërfunduar që nga 15 prilli, kur nisi për herë të parë seanca konstituive.
Organizatat joqeveritare kanë bërë thirrje të përsëritura për tejkalimin e krizës dhe për formimin e institucioneve të reja, por marrëveshja politike vijon të mungojë. Sot është dita e fundit për ta bërë këtë me legjitimitet kushtetues.