Bizneset pa fatura të energjisë, rrezikojnë mbyllje – paralajmërojnë për ndërprerje të furnizimit pas 30 korrikut

Edhe pse jemi në ditët e fundit të muajit korrik, disa kompani që operojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike ende nuk kanë pranuar faturat për muajin qershor. Një ndër to është edhe një biznes që merret me shitjen e veshmbathjeve, i cili shpreh shqetësimin për pasojat që mund të sjellë kjo situatë.
“Faturat e muajit qershor nuk na kanë ardhur, pra presim me na ardhë dy faturat e energjisë – edhe të këtij muaji edhe të muajit qershor. Jemi të shqetësuar, pasi po flitet për rritje të rrymës, e kjo mund të na çojë drejt mbylljes së lokalit ose largimit të ndonjë punëtori për të përballuar shpenzimet,” tha Adem Berisha, menaxher i biznesit.
Televizioni ka kontaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), KEDS-in dhe KESCO-n për të marrë përgjigje lidhur me vonesat në faturim, por asnjëra prej këtyre palëve nuk ka kthyer përgjigje.
Nga Dhoma e Tregtisë thuhet se vonesat dhe paqartësitë janë pasojë e mungesës së përgatitjes për liberalizimin e tregut të energjisë.
“I gjithë procesi është nisur në mënyrë të shpejtë dhe të gabuar. As institucionet publike, si në këtë rast KEK-u si furnizues i mundësisë së fundit, nuk kanë qenë të përgatitura. Të papërgatitur kanë qenë edhe KESCO dhe KEDS për çështjen e faturimit. Kjo tregon se procesi është bërë në mënyrë ad hoc,” deklaroi Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë.
Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka paralajmëruar bizneset që të lidhen me furnizues afatgjatë për të mos rrezikuar ndërprerjen e energjisë pas datës 30 korrik 2025.
“Mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025, përkatësisht pas kalimit të afatit 60-ditor, pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht,” thuhet në njoftimin e ZRrE-së.
Sipas këtij institucioni, liberalizimi i tregut të energjisë është duke u zbatuar në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat më të mira rregullatore. Megjithatë, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe kompanive të përfshira po shkakton pasiguri të madhe për bizneset, që mund të përballen me pasoja të rënda financiare.