Bota

Vatikani përgatitet për ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut, 164 delegacione marrin pjesë

Vatikani po përjeton momente solemniteti dhe përqendrimi shpirtëror, ndërsa sot pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e varrimit të Papa Françeskut. Plot 164 delegacione shtetesh dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare kanë mbërritur në Selinë e Shenjtë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës së ndjerë.

Mbrëmjen e kaluar, në orën 20:00, në Altarin e Rrëfimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, u mbajt riti i mbylljes së arkivolit, i cili u drejtua nga Kardinali Camerlengo dhe Mjeshtri i Festimeve Liturgjike. Akti zyrtar që dëshmon jetën dhe veprimtarinë e Papës u lexua dhe u vendos brenda arkivolit, në përputhje me përshkrimet e “Ordo Exsequiarum Romani Pontificis”, që përcakton rregullat e varrimit të papëve.

Në këtë moment të veçantë ishin të pranishëm edhe disa anëtarë të familjes së Papa Françeskut, ndërsa qindra besimtarë vazhduan lutjet e tyre gjatë gjithë natës në nderim të Papës, deri në përgatitjet për Meshën e Shenjtë të mëngjesit të sotëm.

Zyra e Shtypit e Vatikanit ka bërë me dije se në ceremoni do të jenë të pranishëm presidentë, kryeministra dhe drejtues të institucioneve botërore dhe europiane. Ndër ta, edhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, përfshirë Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila do të përfaqësohet nga Kryepeshkopi Anastas.

Që nga dita e mërkurë deri në mbrëmjen e së premtes, rreth 250 mijë besimtarë kanë zhvilluar homazhe në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i dhënë nderimet e fundit Papës Françesku.

Copyright: Vatican Media

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button