Lajme

Varfëria në Shqipëri arrin nivele alarmante – Thirrje për ndryshim në zgjedhjet e 11 Majit

Varfëria në Shqipëri është kthyer në një fenomen shqetësues, që po rëndon jetesën e mijëra familjeve dhe po detyron shumë qytetarë të braktisin vendin. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, rreth 42% e popullsisë është e ekspozuar ndaj varfërisë ekstreme, një shifër që tregon për përmasat alarmante të kësaj krize sociale.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, ka reaguar mbi këtë situatë, duke bërë thirrje për reflektim dhe veprim konkret. Ajo fton qytetarët të votojnë numrin 1, koalicionin PD-ASHM, në zgjedhjet e 11 Majit, duke theksuar se “e ardhmja e vendit nuk duhet të jetë luks për pakicën, por dinjitet për shumicën”.

Merja theksoi se varfëria nuk është thjesht një shifër në statistika, por një realitet i dhimbshëm për shumë familje shqiptare. “Varfëria është kur fëmijët shkojnë në shkollë me stomakun bosh. Është kur një nënë nuk ka me çfarë të ngrohë fëmijët. Është kur një i ri largohet nga vendi, sepse nuk ka mundësi për një të ardhme më të mirë këtu,” tha ajo.

Në këtë kontekst, ajo prezantoi programin e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, i cili synon të sjellë një ndryshim të prekshëm për çdo qytetar. Programi përfshin:

Përcaktimin e minimumit jetik në 200 euro

Dyfishimin e pensioneve

Përcaktimin e pagës minimale në 500 euro dhe asaj mesatare në 1200 euro

Uljen e çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për kWh

Pajisjen e qytetarëve me të ardhura minimale me kartën e konsumatorit, që përfiton rreth 450 euro në vit

Merja nënvizoi se ndryshimi nuk vjen brenda natës, por përmes ndërgjegjësimit, vullnetit politik dhe angazhimit të përbashkët. Ajo i bëri thirrje qytetarëve që më 11 Maj të votojnë për Ilir Metën, si përfaqësues i vizionit për një Shqipëri ku shumica jeton me dinjitet, e jo me frikën e mbijetesës.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button