Vapa përvëluese përfshin Kosovën – Temperaturat deri në 37°C

Kosova sot do të përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit veror, pas kalimit të një fronti të dobët të ftohtë që dje solli rrebeshe lokale shiu dhe freski të përkohshme, kryesisht në viset kodrinore-malore të vendit.
Sipas parashikimeve të MeteoBallkan, dita e hënë do të karakterizohet nga mot i kthjellët dhe jashtëzakonisht i nxehtë. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 36 apo edhe 37 gradë Celsius, duke krijuar kushte për vapë përvëluese në gjithë territorin.
Institucionet përkatëse rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të mesditës, veçanërisht për personat e ndjeshëm ndaj temperaturave ekstreme, si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Edhe në rajon pritet situatë e ngjashme atmosferike. Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, dita e sotme do të jetë kryesisht me diell dhe me temperatura në rritje.
Të martën vapa e fortë do të vazhdojë, me mot të kthjellët gjatë ditës. Në orët e vona të mbrëmjes, një front ajror i dobësuar mund të afrohet në veri të Kosovës, por pa ndikim të madh në kushtet meteorologjike.
Edhe e mërkura pritet të jetë shumë e nxehtë, megjithëse parashikohet një ulje e lehtë e temperaturave dhe ndonjë rrebesh lokal shiu vetëm në viset e larta malore.