Çmimet e naftës mbesin të larta në Kosovë, pavarësisht qetësimit të tensioneve në Lindjen e Mesme

Çmimet e derivateve në Kosovë vazhdojnë të mbesin të larta, pavarësisht ndalimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit në qershor, duke ngritur shqetësime për manipulime të mundshme në treg. Aktualisht, çmimi i një litri naftë varion nga 1.18 euro deri në 1.30 euro, ndonëse para shpërthimit të tensioneve çmimet ishin rreth 1.15 euro për litër.
Këto çmime të qëndrueshme dhe të larta kanë ngjallur dyshime të vazhdueshme se ato lidhen me sezonin e pushimeve verore dhe fushatën e korrje-shirjeve, periudha këto kur kërkesa për karburante rritet ndjeshëm për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve dhe angazhimit të mekanizimit bujqësor.
Ish-ministri i Tregtisë ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që të hetojë nëse ekzistojnë marrëveshje të fshehta mes kompanive të naftës që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe tregun e lirë. Në të njëjtën linjë është edhe njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj, i cili konsideron se çmimet nuk po përcaktohen sipas rregullave të tregut të lirë.
“Realisht çdo sezon vere çmimet janë më të larta sesa kostoja reale e furnizimit. Arsyeja nuk është vetëm kërkesa, por edhe monopoli i disa kompanive që mbajnë çmimet artificialisht të larta me marrëveshje të pashkruara. Autoriteti i Konkurrencës duhet të hetojë seriozisht këto praktika,” tha Mulaj.
Megjithatë, Shoqata e Naftëtarëve, përmes kryetarit Fadil Berjani, i mohon këto pretendime. Ai thotë se çmimet në Kosovë janë më të ulëta se në vendet e tjera të Evropës dhe nuk kanë lidhje me sezonin veror apo ardhjen e diasporës.
Në një përgjigje për KosovaPress, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) bëri të ditur se janë shtuar inspektimet në terren në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të rritur transparencën në tregun e karburanteve.
Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës njofton se nuk ka gjetur ende dëshmi për marrëveshje kartel mes operatorëve, por thotë se është në vëzhgim të çdo tendence të ngjashme të formimit të çmimeve që mund të sinjalizojë koordinim të ndaluar.
Përkundër rënies së tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që zakonisht ndikon në uljen e çmimeve globale të naftës, tregu kosovar nuk ka reflektuar ndjeshëm këtë zhvillim. Kujtojmë se gjatë kulmit të konfliktit, çmimi i naftës në Kosovë arriti deri në 1.35 euro për litër.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, importi i dizelit për katër muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janar-prill 2025, janë importuar 200,364 ton dizel – rreth 8,438 ton më shumë, ose një rritje prej 4.4%.
Kosova mbetet e varur tërësisht nga importi i derivateve, pasi prodhimi vendor i dizelit është zero, ndërsa as eksportet dhe as stoqet nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të rëndësishëm.
Në këtë situatë, kërkesat për hetime të thelluara dhe për ndërhyrje më të fuqishme institucionale po shtohen, ndërkohë që konsumatorët vazhdojnë të përballen me çmime të larta në një treg që vazhdon të dominohet nga pasiguria dhe mungesa e konkurrencës së ndershme.