Vapa ekstreme në Evropë: Ndryshimet klimatike fajësohen për rritjen e rasteve kritike

Ndryshimet klimatike kanë luajtur rol kyç në rritjen dramatike të numrit të vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane gjatë valës ekstreme të të nxehtit nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut. Një studim i ri tregon se këto ndryshime kanë kontribuar në afro dy të tretat e vdekjeve të regjistruara gjatë kësaj periudhe.
Sipas një analize të realizuar nga studiues në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Holandë dhe Zvicër, rreth 2.300 persona kanë humbur jetën për shkak të kushteve ekstreme të motit ndërmjet 23 qershorit dhe 2 korrikut në 12 qytete të mëdha evropiane. Nga këto, rreth 1.500 vdekje janë lidhur drejtpërdrejt me ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Temperaturat ekstreme, që në disa raste tejkaluan 40 gradë Celsius, u përkeqësuan nga efekti i ngrohjes globale, që sipas hulumtuesve ka ngritur temperaturat e ditës në qytete me 1 deri në 4 gradë.
Pa ndikimin e ngrohjes globale, vlerësohet se numri i vdekjeve nga i nxehti gjatë kësaj vale do të kishte qenë rreth 800.
Studiuesit kanë krahasuar të dhënat e temperaturave të regjistruara me modelet e temperaturave që do të kishin ekzistuar në mungesë të ndryshimeve klimatike, për të nxjerrë përfundimet mbi ndikimin real të tyre në jetët e njerëzve.
Grupet më të prekura nga vala e të nxehtit kanë qenë të moshuarit dhe personat me probleme ekzistuese shëndetësore. Rreth 88 për qind e viktimave ishin persona të moshës 65 vjeç e më të vjetër.
Ky studim i ri vë theksin mbi nevojën urgjente për masa parandaluese dhe adaptuese ndaj krizës klimatike, e cila po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik në Evropë dhe më gjerë.