Kosova

Valë e të nxehtit afrikan godet Kosovën: Temperaturat deri në 39°C, rritet rreziku për zjarre dhe thatësirë

Kosova këtë javë do të përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit afrikan, me temperatura që do të arrijnë kulmin deri në 39°C, duke sjellë pasoja serioze për shëndetin dhe mjedisin. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) paralajmëron për ndikime të mëdha, përfshirë mungesën e reshjeve, rrezik të shtuar për zjarre në zonat pyjore dhe bujqësore, si dhe vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Meteorologu Besim Aliu nga IHK deklaroi për Radio Kosovën se vendi është duke u ndikuar nga masa ajrore të thata dhe të nxehta që vijnë nga Afrika Veriore, të cilat zakonisht shkaktojnë valë të të nxehtit gjatë verës në rajon.

“Këto masa sjellin temperatura të larta, përmbajtje të ulët të lagështisë dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre. Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, me temperatura që mund të arrijnë nga 35 deri në 39°C,” tha Aliu.

Sipas tij, indeksi UV do të jetë shumë i lartë, sidomos nga ora 09:00 deri në 17:00, duke shtuar nevojën për kujdes maksimal ndaj rrezeve të diellit. Ai rekomandoi që qytetarët të respektojnë këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbrojtje nga ekspozimi në rrezatimin ultravjollcë.

Megjithatë, fundjava pritet të sjellë një lehtësim të lehtë, pasi një masë ajrore më e freskët nga veriu i Evropës mund të ulë temperaturat dhe nuk përjashtohet mundësia për ndonjë stuhi lokale.

Ndërkohë, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, u bëri thirrje qytetarëve për shpenzim racional të ujit.

“Nëse ne e keqpërdorim ujin, atëherë me të vërtetë do të ketë shqetësime për ujë, sidomos në pikat e larta furnizuese,” theksoi ajo.

Situata mbetet shqetësuese edhe për autoritetet e emergjencës. Genc Metaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave tha për Radio Kosovën se janë ndërmarrë masa që në fillim të sezonës, por paralajmëroi për përshkallëzim të situatës për shkak të zjarreve të shumta.

“Kemi mbi 40 zjarre të mëdha të regjistruara. Fatkeqësisht, kemi pasur humbje jete – një person në Klinë dhe një zjarrfikës javën e kaluar. Situata po bëhet e rrezikshme edhe për kapacitetet tona operacionale,” u shpreh Metaj.

Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke njoftuar se janë ndaluar të gjitha zjarret në ambient të hapur, përfshirë piknikët, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave ekstreme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button