Sport

Drita dhe Shkëndija pranë një përballjeje historike shqiptare në Europë

Dy prej klubeve më të suksesshme shqiptare në rajon, FC Drita nga Kosova dhe FC Shkëndija nga Maqedonia e Veriut, janë shumë pranë një përballjeje historike në arenën ndërkombëtare, në kuadër të Ligës së Europës.

Skuadra kampione e Kosovës, Drita, aktualisht është në garë në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve ku përballet me gjigantin danez FC Kopenhagen. Në rast se nuk arrin të kalojë më tej, Drita do të vazhdojë aventurën europiane në rrethin e tretë të Ligës së Europës – një skenar që mund ta vendosë përballë Shkëndijës.

Nga ana tjetër, FC Shkëndija ka siguruar tashmë kalimin në rrethin e tretë të Ligës së Europës, pas eliminimit nga TNS në fazën e parë të Ligës së Kampionëve. Para kësaj, Shkëndija do të ketë një përballje të vështirë në rrethin e dytë të Champions League ndaj ekipit rumun FCSB, por eliminimi do ta vendoste automatikisht në të njëjtin raund me Dritën në Ligën e Europës.

Nëse rrugët e këtyre dy ekipeve takohen, do të kishim një përballje emocionuese mes dy klubeve me histori të pasur dhe tifozeri të zjarrtë, që përfaqësojnë me krenari futbollin shqiptar në dy shtete të ndryshme. Një duel i tillë do të ishte i pari i këtij lloji në historinë e garave europiane dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar nivelin në rritje të futbollit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tifozët, analistët dhe sportdashësit në të gjithë trevat shqiptare presin me padurim shortin dhe rezultatet e ndeshjeve të ardhshme, duke shpresuar për një përballje që do të shkruante historinë dhe do të ngrinte edhe më lart profilin e futbollit shqiptar në Europë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button