Kosova

Valë e re nxehtësie në Kosovë: Temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C

Kosova do të përballet me mot shumë të ngrohtë dhe kryesisht me diell ditën e enjtë, ndërsa pritet që temperaturat të rriten më tej në fundjavë, duke shënuar fillimin e një vale të re nxehtësie që mund të zgjasë përgjatë javës së dytë të gushtit.

Sipas “Mendimi për Motin”, dita e enjtë do të karakterizohet nga kthjellime dhe diell, me kalime të lehta vranësirash kohëpaskohe, por pa kushte për reshje. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi të lehtë deri mesatare, nga 4 deri në 9 metra në sekondë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13°C deri në 17°C, ndërsa ato maksimale nga 29°C deri në 32°C.

Nga fundjava e në vazhdim, temperaturat do të vijojnë të rriten gradualisht. Në Prishtinë pritet që maksimalet të arrijnë deri në 34°C e 35°C, ndërsa në pjesë tjera të vendit mund të kapin vlera ekstreme prej 37°C deri në 39°C.

Edhe gjatë kësaj periudhe, era do të vazhdojë të fryjë nga verilindja, me intensitet të lehtë dhe mesatar, ndërmjet 3 dhe 9 m/s. Temperaturat minimale do të luhaten mes 14°C dhe 17°C.

Qytetarët këshillohen të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve të mesditës dhe të kujdesen për hidratim, veçanërisht në ditët kur temperaturat pritet të jenë më të larta.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button