Ushtrime intensive në Pejë: Ushtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut trajnohen për menaxhimin e turmave dhe zjarrit

KFOR ka njoftuar se ushtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të vendosur në Komandën Rajonale-Perëndim, kanë marrë pjesë në një ushtrim intensiv në Kampin Villaggio Italia në Pejë, që kishte për fokus kontrollin e turmave dhe trazirave, si dhe trajnimet ndaj zjarrfobisë.
Trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me trajnerët hungarezë të Batalionit Taktik Rezervë të KFOR-it, dhe ka përfshirë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj nxehtësisë ekstreme dhe flakëve të krijuara nga pajisje të posaçme ndezëse.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ky trajnim synon forcimin e gatishmërisë operacionale dhe rezistencës psikologjike të trupave në situata stresuese.
“Ushtrime të tilla janë kritike për të siguruar përgjigje të qeta dhe efektive nën stres, dhe për të ruajtur efektivitetin e misionit në mbështetje të një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në deklaratën zyrtare.
KFOR vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke përfshirë bashkëpunime shumëkombëshe për trajnime që rrisin efikasitetin në terren.