MSH rekomandon masa mbrojtëse ndaj vapës së madhe: Fokus tek punëtorët dhe grupet e ndjeshme

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka nxjerrë një vendim zyrtar, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për zbatimin e masave mbrojtëse ndaj temperaturave të larta që pritet të zgjasin nga data 3 deri më 10 korrik 2025.
Sipas njoftimit, temperaturat e larta mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të atyre që i përkasin grupeve më të ndjeshme të shoqërisë.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministria i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve publike dhe private që të respektojnë rekomandimet e dala nga ky vendim, për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve dhe të qytetarëve të tjerë.