Kosova

Abdixhiku akuzon Vetëvendosjen për “uzurpim antikushtetues”: Thirrje për përgjegjësi penale

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesi Avni Dehari, duke e cilësuar veprimin si vazhdim i uzurpimit antikushtetues nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një deklaratë për media, Abdixhiku tha se deputetët e LDK-së qëndruan në sallë për të shprehur qëndrimet e tyre, ndërsa përmendi se deputetja Hykmete Bajrami mbajti fjalën e saj, ndonëse disa të tjerëve, si deputetit Zogaj, u ishte ndaluar kjo e drejtë.

“Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim”, tha Abdixhiku.

Ai kritikoi ashpër Vetëvendosjen, duke theksuar se për herë të 41-të me radhë partia e parë nuk po arrin të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese për krijimin e shumicës parlamentare.

“Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës, të cilin e kishim dakorduar paraprakisht në takimin institucional me z. Glauk Konjufca. Ky rend u ndryshua njëanshëm, pas shtatë seancash, nga një deputet më i moshuar – i cili nuk ka të drejtë për një vendim të tillë”, theksoi ai.

Duke e cilësuar situatën si “pengesë jokushtetuese”, Abdixhiku paralajmëroi se kjo përbën një shkelje të rëndë që mund të ketë pasoja ligjore.

“Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije dhe qëllim – dhe për këtë do të ketë përgjegjësi penale një ditë. Partia e parë mund të ketë një ulëse, por nuk mund të kapë Kuvendin”, përfundoi Abdixhiku, duke ftuar për më shumë transparencë dhe debat para qytetarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button