Ushtarët turq dhe Garda Skoceze kryejnë patrullime të përbashkëta në Kosovë

Ushtarët turq nga Komanda Rajonale Lindore e misionit KFOR, i udhëhequr nga NATO, kanë kryer patrullime të përbashkëta me personelin e Gardës Skoceze të Mbretërisë së Bashkuar, të vendosur në Kosovë si pjesë e forcave rezervë të NATO-s.
KFOR ka theksuar se këto aktivitete synojnë të ruajnë një prani të dukshme dhe të paanshme, të rrisin ndërgjegjësimin për situatën dhe të mbështesin sigurinë e përgjithshme në rajon.
“Në përputhje me mandatin e KFOR-it nga OKB-ja, këto patrullime kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Misioni i KFOR-it, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për të përmbushur rolet e tyre si reagues të sigurisë.



