Ushtar malazez ndëshkohet për hyrje në Kosovë me targa “Kosova është Serbi”

Ushtari i Ushtrisë së Malit të Zi (VCG), Rajko Krivokapiq, është ndëshkuar pasi në nëntor të vitit të kaluar hyri në Kosovë pa dijeninë e eprorit të tij, ku edhe u arrestua për shkak të mbishkrimit “Kosova është Serbi” në targat e automjetit të tij.
Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi ka konfirmuar për gazetën “Vijesti” se ndaj Krivokapiqit dhe shoqëruesit të tij, Dragutin Llallatoviq, janë zhvilluar procedura disiplinore. Megjithatë, procedurat ndaj Llallatoviqit u pezulluan pasi ai ndërpreu shërbimin e tij në ushtri me kërkesën personale.
Sipas Ministrisë, pas seancave dëgjimore dhe shqyrtimit të provave, u vendos që Krivokapiq të shpallej përgjegjës për shkelje disiplinore, duke u ndëshkuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të VCG-së në përputhje me Ligjin për Ushtrinë. Ende nuk është bërë publik lloji i dënimit, megjithëse burime jozyrtare flasin për një gjobë.
Krivokapiq dhe Llallatoviq, së bashku me Marinko Jovanoviqin, u arrestuan më 24 nëntor 2024 pranë Manastirit të Deçanit. Ata u mbajtën 55 ditë në paraburgim, fillimisht me akuzën për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”. Hetimi ndaj tyre u pezullua në janar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pak para skadimit të masës së paraburgimit.