
Ushqimet më të mira për trurin. Bimët, ushqimet dhe zakonet që forcojnë kujtesën, kthjellojnë mendjen dhe mbajnë të gjallë përqendrimin. I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për ushqimet më të mira që ushqejnë trurin dhe lidhjet që kanë ushqimet me funksionet e tij.
“Rreth 35% e të rriturve raportojnë që kanë probleme me mjegullën e trurit dhe 40% e njerëzve mbi 50 vjeç kanë humbje të lehtë të kujtesës”, tha Altini në fillim të bisedës, ndërsa shtoi se 20% e adoleshentëve raportojnë probleme me kujtesën dhe përqëndrimin, pa përmendur menaxhimin e stresit, ankthit dhe gjumit.
Truri përdor 20% të gjithë energjisë së trupit tonë. Është shumë e rëndësishme që të kemi dhe një gjumë të shëndetshëm, pasi kjo na shton gati 12 vite jetë.“Truri ynë ka nevojë për karbohidrate komplekse, pasi ka nevojë për glukozë, burimi kryesor i energjisë që truri merr. Shumë thelbësore është dehidratimi, për një funksion sa më të mirë”, shtoi ai në studio.
Por cilat janë ato shenja që tregojnë që truri ynë ka nevojë për ndihmë?
Së pari kemi ulje të përqëndrimit, humbasim në mendime, lodhemi shpejt, harrojmë gjërat e thjeshta, humbasim interesin për shumë gjëra, kemi probleme me gjumin e tepërt, apo kemi probleme me pagjumësinë.
“Kur jemi të stresuar, është vënë re që harrojmë më shpejt”, shtoi Altini, duke theksuar se emocionet e mira na e forcojnë ndjeshëm kujtesën, ndërsa mosleximi apo aktiviteti i pakët fizik dobësojnë kujtesën.
Cilat janë disa ushqime, bimë apo vajra që i bëjnë mirë trurit tonë?
“Një ndër ushqimet më të mira për rritjen e përqëndrimit janë kërpudhat, sepse nxisin rritjen e faktorit nervor dhe relaksojnë trurin, ndërsa forcojnë kujtesën deri në 50% dhe ulin inflamacionin në trup. Ushqim tjetër shumë i mirë për trurin është dhe avokado, pasi ka yndyra të pangopura, madje parandalon dhe goditjen në tru. Së treti, rekomandohet panxhari pasi ul plakjen e trurit, ndërsa shumë të mira janë boronicat, frutat e pyllit, manat, qershitë. Gjithashtu shumë i rekomanduar është lëngu i kockave të mishit që këshillohet të konsumohet në përditshmëri” theksoi Altini.
Perimet krucifere janë një tjetër element që rekomandohen të konsumohen, si brokoli, lakra. Rekomandohet selinoja e shtrydhur çdo mëngjes me karrotë, sikurse dhe vaji i kokosit, apo çokollata e zezë që ndihmon në presionin e qarkullimit të gjakut. Shumë efekt ka dhe veza, konsumi i saj ndikon shumë në kujtesë. Shumë të mira janë perimet me gjethe jeshile, pa harruar dhe pataten e kuqe, shafrani i Indisë që përmirëson dhe humorin. Shumë të mira janë dhe arroret, arrat, bajamet, sikurse kafeja. Bishtajoret janë shumë efikase, sidomos fasulja e kuqe, shtoi ai.
Rekomandohet gjithashtu të përdoret vaji i arrës që është një komponent kyç që oksigjenon trurin dhe ul nivelin e stresit dhe problemin e sëmundjeve mendore. Në fund të bisedës nutricionisti rekomandoi që të shmanget përdorimi i telefonit sapo zgjohemi në mëngjes, gjithashtu rekomandoi ecjen dhe leximin çdo ditë rregullisht.