Ursula von der Leyen në Tiranë: Fokus në procesin e anëtarësimit dhe planin e rritjes prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë, si pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas agjendës zyrtare, von der Leyen do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe me Kryeministrin Edi Rama. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë procesi i anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe plani i ri i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, me një fond prej 6 miliardë euro të vënë në dispozicion nga BE-ja.
Pas takimeve me autoritetet shqiptare, Presidentja e Komisionit Europian do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillohet në orët e pasdites në Tiranë.
Vizita në Shqipëri është pjesë e një turi rajonal që përfshin disa vende të Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Kosovën, ku von der Leyen pritet të qëndrojë në ditët në vijim.



