Kosova

UNMIK-u dënon vrasjen e Arlinda Zekajt: Është gruaja e dytë e vrarë në Kosovë brenda pak më shumë se dy javësh

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka dënuar ashpër vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, mbrëmjen e së dielës.

Në një reagim të publikuar të hënën, Due u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës.

“ Kjo vrasje brutale, e dyta e një gruaje në Kosovë brenda pak më shumë se dy javësh dhe e teta këtë vit, nënvizon pasojat shkatërruese të dhunës me bazë gjinore dhe nevojën urgjente për ta marrë seriozisht çdo thirrje për ndihmë. Dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet kurrë”, ka deklaruar Due.

Ai ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe për vënien e përgjegjësve para drejtësisë, në përputhje me sundimin e ligjit.

Shefi i UNMIK-ut ka theksuar se institucionet dhe shoqëria kanë përgjegjësi të përbashkët për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave dhe vajzave, si dhe sigurimin e qasjes me kohë në shërbime efektive të mbrojtjes dhe mbështetjes.

Po ashtu, Due ka vënë në pah rëndësinë e sfidimit të stereotipeve të dëmshme gjinore, promovimit të barazisë dhe respektit të ndërsjellë, si dhe forcimit të masave parandaluese përmes vetëdijesimit dhe edukimit të synuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button