Kosova

KEK-u njofton se njësia “B2 e Termocentralit Kosova B” u rikthye në operim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton se njësia B2 e TC Kosova B është rikthyer me sukses në operim, duke rifilluar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me energji termike për Termokosin, në funksion të ngrohjes së kryeqytetit.

Sipas njoftimit të KEK-ut pas përfundimit të suksesshëm të sanimeve, procesi i startimit të njësisë ka filluar sot, më 26 tetor 2026, në orën 02:00, ndërsa pas testimeve dhe verifikimeve të nevojshme të pajisjeve dhe sistemeve teknologjike, gjatë orëve të mëngjesit njësia ka rifilluar prodhimin

“Rikthimi i njësisë B2 në operim, brenda një afati rekord, është rezultat i profesionalizmit, mobilizimit të menjëhershëm dhe angazhimit të pandërprerë të ekipeve të KEK-ut”,thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu u tha se KEK-u shpreh mirënjohje dhe falënderim të veçantë për ekipet teknike, inxhinierët, specialistët, menaxhmentin dhe të gjithë punonjësit e TC Kosova B, të cilët, me përkushtim të jashtëzakonshëm, punë të palodhshme dhe përgjegjësi të lartë profesionale, mundësuan sanimin e defektit dhe rikthimin e njësisë në operim në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.

“Ky është një tjetër dëshmi se fuqia më e madhe e KEK-ut qëndron te njerëzit e saj – profesionistët që me punën dhe përkushtimin e tyre garantojnë vazhdimësinë e prodhimit dhe kontribuojnë çdo ditë në sigurinë energjetike të Kosovës”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button