“Uji rrjedh vetëm në premtime”: Lutfi Dervishi ironizon qeverinë Rama për dështimin me furnizimin 24 orë me ujë

Analisti i njohur Lutfi Dervishi ka thumbuar ashpër qeverinë Rama për dështimin e një prej premtimeve më të bujshme: furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Me tone therëse dhe plot sarkazëm, ai ka publikuar një postim në Facebook ku ironizon kontrastin mes fjalëve elektorale dhe realitetit të përditshëm të qytetarëve.
Në postimin e tij, Dervishi shkruan se “në Republikën e Premtimeve, uji rrjedh vetëm në këngë e ligjërime”, duke denoncuar mënyrën sesi ky premtim është “mbajtur” në mënyrë absurde dhe të papërmbushur.
Sipas tij, qytetarët marrin ujë të pijshëm në vetëm tre vakte në ditë — mëngjes, drekë dhe darkë — dhe çmimi është trefishuar krahasuar me vitin 2013. “Kush kërkon ujë jashtë këtij orari konsiderohet armik i pompës dhe i partisë”, shkruan me ironi Dervishi, duke nënvizuar edhe paaftësinë e administrimit lokal.
Në fund, ai përmbyll se pompa punon vetëm kur ka ujë në rrjet, ndërsa administratori ekziston vetëm për të treguar se as pompën nuk mund ta kontrollosh, nëse rrjeti është bosh.
Ky reagim i Dervishit ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, duke rikthyer në vëmendje debatin për dështimet e pushtetit në shërbimet bazë ndaj qytetarëve.