Uji: Burimi jetësor që formëson trupin dhe planetin tokë

Uji është elementi themelor për jetën në Tokë, i domosdoshëm për të gjitha organizmat e gjallë. Ai luan një rol kyç në hidratimin e trupit, tretjen e ushqimit, prodhimin e energjisë, rregullimin e metabolizmit dhe rritjen e organizmave të ndryshëm.
Me një moshë prej mbi 4.6 miliardë vjetësh, uji ka ndikuar ndjeshëm në formësimin e planetit dhe historisë së tij. I pranishëm në tre gjendje – të lëngshme, të ngurtë dhe të gaztë – uji është një substancë e jashtëzakonshme me karakteristika unike. Ja pesë fakte interesante që tregojnë rëndësinë e tij:
1. Sasia e ujit në Tokë
Toka përmban rreth 1.362.748.242 kilometra kub ujë. Megjithatë, 98% e këtij uji ndodhet në oqeane dhe është i kripur, pra i papijshëm. Vetëm rreth 2.5–3% e ujit është i pijshëm dhe gjendet në akullnaja, lumenj, liqene, burime dhe ujëra nëntokësore. Ky i fundit ka rëndësi të madhe për furnizimin e qyteteve që ndodhen në zona me mungesë të ujit të freskët, siç janë ato në shkretëtira.
2. Trupi i njeriut është kryesisht ujë
Pjesa më e madhe e trupit të njeriut përbëhet nga ujë – rreth 60% te meshkujt dhe 55% te femrat, për shkak të dallimeve në përqindjen e indeve yndyrore. Truri dhe veshkat kanë përmbajtjen më të lartë të ujit, deri në 85%, ndërsa zemra, mushkëritë, lëkura dhe muskujt përmbajnë midis 70-80% ujë. Edhe gjaku, kockat dhe dhëmbët kanë përbërje të konsiderueshme uji.
Uji është thelbësor për pastrimin e trupit nga mbetjet, ruajtjen e temperaturës trupore, funksionimin e kyçeve dhe të sistemit nervor.