UEFA zhvillon festival futbolli në Tiranë, Çeferin: “Futbolli bashkon, jo përçon”

Në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë u mbajt sot festivali i futbollit si pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, kreut të FSHF-së Armand Duka dhe gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë ambasadorët e UEFA-s, Luís Figo dhe Aljoša Asanović, ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka, si dhe dhjetëra fëmijë nga shkollat vendase. Atmosfera festive u plotësua me ndeshjen miqësore ku në fushë zbritën Çeferin, Figo, Asanović, trajneri i Kombëtares Silvinjo, stafi i tij, Hyka dhe nxënësit pjesëmarrës.
Gjatë prononcimit për mediat, Presidenti Çeferin theksoi mesazhin se futbolli duhet të mbetet një urë bashkimi:
“Futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Duhet të largojmë ata ‘idiotë’ që e shfrytëzojnë këtë lojë për ideologji absurde, sepse ata nuk e duan futbollin, por vetëm veten e tyre”.
Kreu i UEFA-s vlerësoi gjithashtu infrastrukturën sportive në Shqipëri, veçanërisht stadiumin kombëtar, duke lënë të hapur mundësinë e organizimit të aktiviteteve të tjera ndërkombëtare në vend. Ai dha edhe një këshillë për futbollistët e rinj:
“Të punojnë fort, të qëndrojnë sa më gjatë në kampionatet vendase dhe pastaj të provojnë jashtë. Shumë lojtarë gabojnë duke u larguar shumë herët dhe përfundojnë karrierën para kohe”.
Nga ana e tij, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e cilësoi zhvillimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë si një moment historik dhe një vlerësim për futbollin shqiptar:
“Ky është një vlerësim i madh për Federatën, për gjithë komunitetin e futbollit në vend dhe një motivim i ri për fëmijët që sot përjetuan këtë festival”.
Ky aktivitet vjen në prag të mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e para e këtij niveli që mbahet ndonjëherë në Shqipëri.