Bota

Tulsi Gabbard pranon besimin në ekzistencën e alienëve: “Duhet të jem e kujdesshme me atë që ndaj”

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Tulsi Gabbard, ka deklaruar publikisht se beson në ekzistencën e alienëve, por ka theksuar se duhet të jetë e rezervuar për shkak të pozicionit të saj dhe aksesit në informacione të klasifikuara.

Në një intervistë për podkastin “Under Force One”, prezantuesja Miranda Devine e pyeti Gabbard nëse alienët ekzistojnë. “Unë kam mendimet dhe pikëpamjet e mia,” tha ajo, duke shtuar: “Në këtë pozicion, duhet të jem e kujdesshme me atë që ndaj.”

E ngacmuar edhe një herë për mendimin e saj personal mbi ekzistencën e alienëve dhe objekteve fluturuese të paidentifikuara (UFO), Gabbard u përgjigj shkurt: “Po.”

Tema e UFO-ve, që tashmë njihen më zyrtarisht si “fenomene anomale të paidentifikuara” (UAP), është rikthyer fuqishëm në debatin publik dhe politik në SHBA. Kongresi Amerikan ka mbajtur disa seanca dëgjimore për të hetuar se çfarë di në të vërtetë qeveria federale për këtë çështje. Vetëm vitin e kaluar, Nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, Kufirin dhe Punët e Jashtme ka zhvilluar dëgjesa mbi këtë temë delikate.

Gabbard, e njohur për qëndrimet e saj të drejtpërdrejta dhe për lidhjet e ngushta me Presidentin Donald Trump, u shpreh se aktualisht zyra e saj nuk ka ndonjë informacion konkret për të ndarë me publikun mbi alienët apo UFO-t. Por ajo premtoi transparencë në të ardhmen.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën dhe ta ndajmë atë të vërtetë me popullin amerikan”, deklaroi Gabbard.

Në rolin e saj si Drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare, Gabbard mbikëqyr bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet 18 agjencive të inteligjencës amerikane, duke përfshirë CIA-n, NSA-n dhe FBI-në. Deklaratat e saj për një temë kaq të ndjeshme pritet të nxisin diskutime të reja në opinionin publik dhe në qarqet politike në SHBA.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button