Tudor konfirmon: Yildiz nuk pushon kundër Comos, Zhegrova mungon për shkak dëmtimi

Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Serie A që “Zonja e Vjetër” do të zhvillojë në transfertë kundër Comos të dielën.
Tudor konfirmoi se Kenan Yildiz do të jetë titullar, ndërsa Edon Zhegrova nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi në ije.
“Pak lojtarë ishin këtu gjatë pushimit, kishim nevojë për rikuperim, ndaj u dhamë disa ditë pushim. McKennie erdhi dje dhe të gjithë u kthyen në gjendje të mirë, pa dëmtime. Kemi zhvilluar dy seanca stërvitore së bashku për t’u përgatitur për ndeshjen,” tha Tudor për Ilbianconero.com.
Sipas trajnerit kroat, përballja me Comon nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Është një ndeshje e vështirë; Como nuk është një ekip i vogël. Ata kanë shpenzuar shumë dhe trajneri ka zgjedhur personalisht lojtarët, gjë që është shumë pozitive. I respektojmë, por duam të luajmë lojën tonë,” theksoi ai.
Tudor, që zakonisht përdor sistemin 3-4-2-1, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të formacionit.
“Mund të ndodhë ose mund të mos ndodhë. Nuk dua të zbuloj çfarë po përgatisim,” u përgjigj ai me rezervë.
Ai foli edhe për serinë e barazimeve të Juventusit dhe presionin që vjen me pankinën bardhezi:
“Në Juventus, nëse nuk fiton, çdo diskutim ka pak rëndësi. Por unë e di çfarë po ndërtojmë. Ata që janë intelektualisht të ndershëm e kuptojnë,” tha Tudor.
Në fund, trajneri u ndal te Kenan Yildiz, që po kalon një formë të shkëlqyer pas tre golave me Turqinë.
“Ishte pyetja e parë që mora — a do të pushojë? Jo, nuk do të pushojë. Ai po bën punë fantastike dhe ka përparuar shumë,” u shpreh Tudor me buzëqeshje.
Ndërkaq, ai konfirmoi se Fabio Miretti do të rikthehet në stërvitje të hënën, ndërsa Edon Zhegrova do të mungojë për shkak të një “problemi në ije”.
Juventusi mbetet i pamposhtur këtë sezon në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve, por hyn në këtë sfidë pas pesë barazimeve radhazi në të gjitha garat.



