“Shkoni te mjeku, mos prisni” – historia e Ganimete Arifit që i mbijetoi kancerit të gjirit dhe tani ndihmon gratë e tjera

Një nyje e vogël në gjirin e majtë do t’i ndryshonte jetën Ganimete Arifit, nënës së pesë fëmijëve nga Fushë Kosova. Fillimisht e injoroi, por dhimbja që u përhap në gjoks dhe dorë e detyroi të kërkojë ndihmë mjekësore.
“Vetëm atëherë kam shkuar te mjeku. M’i kanë bërë analizat dhe më kanë thënë se ke një lloj tumori”, kujton 44-vjeçarja – pjesëtare e komunitetit ashkali – për Radion Evropa e Lirë.
Lajmi e tronditi thellë. “Mendjen e kisha vetëm te fëmijët. Qaja pa u ndalur”, rrëfen ajo. Mjekët rekomanduan heqjen e gjirit, një vendim i vështirë, por i domosdoshëm për jetën e saj. Disa ditë më vonë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ganimetja iu nënshtrua operacionit.
Katër vjet më pas, ajo është e shëndetshme dhe një zë i fortë për ndërgjegjësimin shëndetësor në komunitet. “U them grave gjithmonë: shkoni te mjeku, mos prisni”, thotë ajo me bindje.
Sfida të shumta për gratë e komuniteteve joshumicë
Historia e Ganimetes nuk është e rrallë në mesin e grave rome, ashkalie dhe egjiptiane. Mungesa e informacionit, barrierat kulturore dhe ekonomike shpesh i pengojnë të kërkojnë ndihmë në kohë.
“Gratë nga këto komunitete mbeten të izoluara nga fushatat shëndetësore. Institucionet duhet të jenë më pranë tyre”, thotë Violeta Pirana, udhëheqëse e shoqatës “Renesansa”.
Edhe Arnisa Osmani nga organizata “Have Hope Kosova” thekson se mungesa e fondeve dhe bashkëpunimit institucional pengon shpërndarjen e ndihmës. “Komunitetet shpesh mbeten pas dore. Ne kemi shpërndarë proteza dhe materiale informuese falas, por nevoja është shumë më e madhe”, thotë ajo.
Institucionet pranojnë barrierat
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se zhvillojnë aktivitete edukative gjatë gjithë vitit, por pranojnë se barrierat gjuhësore dhe sociale pengojnë pjesëmarrjen e plotë.
Vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2025, IKSHPK organizoi 15 sesione informuese për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian me 205 pjesëmarrës, në temat e kancerit, vaksinimit dhe sëmundjeve kronike.
Për muajin tetor – muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit – janë planifikuar sesione edukative dhe mamografi mobile në komunat që nuk kanë pajisje statike.
Kanceri i gjirit, sëmundja më e përhapur te gratë në Kosovë
Sipas të dhënave nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar 330 raste të reja me kancer të gjirit, përfshirë tre burra.
Drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi, thotë se “mbi 50 për qind e pacienteve tani diagnostikohen në stadet e para, gjë që rrit ndjeshëm shanset për shërim”.
Në Kosovë, Klinika e Onkologjisë mbetet e vetmja qendër që ofron trajtime për pacientët me kancer, duke pranuar rreth 50 mijë persona në vit.
Mesazhi i një të mbijetuarë
Ganimete Arifi e ka kaluar betejën e saj, por vazhdon të bëjë kontrolle të rregullta. “Mjeku që më ka operuar më ndihmoi shumë, sepse nuk i kisha mundësitë financiare. Jam mirënjohëse për trajtimin që mora”, thotë ajo.
Tani, ajo e kthen përvojën e dhimbshme në forcë për të tjerat: “Mos e neglizhoni asnjë shenjë. Jetoni për fëmijët tuaj, por edhe për veten.”



